PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, Manja: Nuk pengohen hetimet
Shumica parlamentare rrëzoi kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj deputetes Belinda Balluku me arrest.
Deputeti i Partisë Socialiste dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, prezantoi raportin në Kuvend lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për arrestimin e deputetes.
Manja theksoi se Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si anëtare e Këshillit të Ministrave pas ndryshimeve në qeveri, ndaj sipas tij argumentet e prokurorisë për rrezikun e prishjes së provave apo ndikimit në hetim janë hipotetike.
Argumentet e shumicës parlamentare
Sipas raportit të prezantuar në Komisionin e Ligjeve, kërkesa e SPAK nuk është për vendosjen e një mase sigurimi për herë të parë, por për zëvendësimin e një mase ekzistuese me një më të rëndë.
Aktualisht ndaj deputetes është në fuqi masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Manja deklaroi se nga materialet e prokurorisë rezulton se kjo masë është respektuar plotësisht nga Balluku. Sipas tij, zëvendësimi i një mase sigurimi mund të bëhet vetëm në dy raste: kur rëndohen nevojat e sigurimit ose kur personi nuk ka respektuar masën e vendosur nga gjykata.
“Hetimet nuk pengohen”
Manja theksoi se vendimi i Kuvendit për të mos miratuar arrestimin nuk pengon hetimet e SPAK dhe nuk cenon procesin e drejtësisë. Ai shtoi se çështja duhet të trajtohet në mënyrë institucionale dhe jo si një debat politik apo një “gjykim publik” në media.